“Kosova e Re” barazon edhe me Ishujt Faroe

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll është futur në një cikël barazimesh. Pas barazimit me Armeninë të mërkurën, “Dardanët” barazuan edhe sot ndaj një përfaqësuese shumë modeste, duke luajtur në fund ms hifrat 1:1.

Kosova ka kaluar e para në epërsi me golin e Uran Bislimit në minutën e 64-të. Për futbollistin e Luganos ishte ky goli i parë në ndeshjen e tij të dytë me fanellën e përfaqësueses së Kosovës, që në fund nuk doli të jetë i mjaftueshëm për fitore, pasi Ishujt Faroe barazuan rezultatin përmes Radosavljeviç në minutën e 77-të. Deri në fund të takimit ekipi “Dardan” tentoi të gjejë edhe golin e dytë, mirëpo pa sukses, ashtu që në fund regjistroi edhe barazimin e dytë nga gjithsej 4 ndeshje të zhvilluara kundër Ishujve Faroe.

Kujtojmë Kosova dhe Ishujt Faore ishin në një grup të njëjtë gjatë edicionit të parë të Ligës së Kombeve, ku Kosova kishte fituar një ndeshje, ndërsa tjetra ishte mbyllur baraz, derisa paraprakisht “Dardanët” kishin mundur këtë përfaqësuese në një ndeshje miqësore.

Kosova do të rikthehet në fushën e gjelbër më 25 mars, kur do të luajë ndeshjen e parë kundër Izraelit, e vlefshme për kualifikimet e Kampionatit Evropian 2024. (infOSport.mk)

Leave a Reply