Voska Sport nuk ndalet, prezanton edhe përforcimin e dytë

Voska Sport brenda pak ditëve ka bërë edhe goditjen e dytë në merkato, duke angazhuar ish portierin e Renovës, Hadis Velii, njofton “infOSport.mk”. Gardiani tetovar te skuadra shqiptare nga Ohri vjen nga rradhët e Besës së Dobërdollit, aty ku kaloi 6 muajt e fundit.

Ndryshe bëhet fjalë për një portierë me eksperiencë të madhe në elitën e futbollit vendor, aty ku ka mbrojtur portën e Shkëndijës dhe Renovës, derisa gjatë karrierës së tij gjithashtu kishte veshur edhe fanellën e Gostivarit dhe Vëllazërimit nga Kërçova.

Velii te Voska Sport vjen si zëvendësim për Ivan Nikoloskin, të cilit i përfundoi huazimi nga rradhët e Sileksit, derisa bashkë me Valon Nezirin do të luftojë për pozitën e titullarit.

Ndryshe Velii në Ligën e Parë të Maqedonisë ka regjistruar 111 paraqitje, ndërsa gjithashtu me Renovën ishte paraqitur edhe në ndeshjet e Liga Europa, duke numëruar 3 paraqitje. (infOSport.mk)

Leave a Reply