Shkëndija nesër udhëton drejt Turqisë, ku do zhvillojë edhe 4 miqësore!

Shkëndija ka përfunduar fazën e parë të përgatitjeve dimërore, ku zhvilloi edhe një miqësore kundër Voska Sport (2:2), derisa nesër ekipi “kuqezi” niset drejt Turqisë, aty ku do të zhvillojë edhe fazën kryesore të përgatitjeve, njofton “infOSport.mk”.

Në Antalia, Shkëndija do të qëndrojë deri më 10 shkurt dhe paralel me përgatitjet në aspekt fizik dhe tekniko-taktik, do të zhvillojë 4 ndeshje kontrolluese me rivalë serioz.

Më 28 janar në takimin e parë testues në Antalia, të përzgjedhurit e trajnerit Qatip Osmani do të përballen me sllovenët e NK Mura. Me 31 janar, “kuqezinjtë” do të provojnë veten ndaj bullgarëve të FC CSKA 1948 Sofje, ndërsa më 6 shkurt në do të përballen ndaj gjigantit ukrainas, Dinamo Kiev.

Serinë e ndeshjeve miqësore futbollistët e Shkëndijës e mbyllin më 9 shkurt përballë skuadrës letoneze të Valmiera, ndërsa me 10 shkurt ekipi kthehet në Tetovë, aty ku do të pret stinorin pranveror, që starton me 19 shkurt.

Ndeshjen e parë të këtij gjysëmsezoni, Shkëndija do ta zhvillojë kundër FC Shkupit në Kërçovë. (infOSport.mk)

Leave a Reply