Vëllaznimi i Gjakovës dhe Idrizi dëmtohen rëndë përballë Istogut!

Vëllaznimi i Gjakovës është padyshim një nga klubet më të mëdha në futbollin e Kosovës, mirëpo “kuqezinjtë” nuk po kalojnë momente aspak të mira viteve të fundit. Kështu po ndodh edhe këtë edicion, edhe përkundër një organizimi fantastik të drejtuesve të rinj, të cilët pretendojnë se janë dëmtuar rëndë sot në ndeshjen kampionale kundër Istogut, shkruan “infOSport.mk”.

Vëllaznimi, pjesë e së cilës skuadër nga ky gjysëmsezon është edhe shkupjani i talentuar, Talha Idrizi, në ndeshjen e sotme të javës së 16-të në “Viva Fresh Liga e Parë – A”, u mund me rezultat 2:1 nga Istogu, mirëpo pas përfundimit të takimit, gjakovarët janë ankuar për një rast tejet diskutabil madje që është zënë në foto nga fotografi i klubit.

Pranë rezultatit 0-0, portieri i mysafirëve grushtoi pikërisht shkupjanin Talha Idrizi, mirëpo kur të gjithë besuan se arbitri do të tregojë në pikën e bardhë, një gjë e tillë nuk ndodhi.

“Referim skandaloz. KF Vëllaznimi vazhdon të dëmtohet nga një referim skandaloz. Më poshtë keni rastin kyç në ndeshjen e sotme, kur futbollisti i Vëllaznimit grushtohet nga portierit i Istogut dhe gjyqtari kryesor dhe anësor mbyllin sytë. Deri kur kështu kundër Vëllaznimit, deri kur???”, thuhet në reagimin e klubit gjakovar.

Shkupjani, Talha Idrizi, i cili te Vëllaznimi i Gjakovës po luan në formë huazimi nga rradhët e kampionëve të Ballkanit, ishte ndër futbollistët më të dalluar te skuadra gjakovare. Ai gjatë pjesës së dytë goditi edhe shtyllën, ashtu që në golin e tij debutues do të duhet të pres në ndonjë takim të rradhës.

Pas 16 xhirove në Ligën e Parë, Vëllaznimi ka vetëm dy pikë dhe ndodhet në vendin e fundit në renditjen tabelare në Grupin A. Ndeshjen e ardhshme Vëllaznimi do ta zhvillojë kundër skuadrës së Rilindja 1974. (infOSport.mk)

Leave a Reply