Liga e Dytë, derbi i madh Vardari-Gostivari nuk prodhoi gola, buzëqesh Voska Sport (VIDEO)

Derbi i madh i Ligës së Dytë, që i takonte javës së 24-të midis Vardarit dhe Gostivarit i zhvilluar në Shkup, në stadiumin “Boris Trajkovski” u mbyll me barazim pa gola, njofton “infOSport.mk”.

Para tribunave të mbushura të dyja skuadrat zhvillluan një super ndeshje me shumë raste për gol, mirëpo në fund rrjetat pushuan, duke shkuar gjitha meritat në adresë të portierëve, Gaçevski dhe Jashar.

Të parët u kanosën vendasit me anë të Razmoskit, goditja e të cilit përfundoi vetëm mbi portë.

Gostivari rastin e parë e pati në minutën e 21-të, mirëpo tentativën e Ramadanit e ndali Gaçevski. Në momentet kur Gostivari kishte momente të mira në fushën e blertë, Stojan Stojçevski u ndëshkua edhe me kartonin e dytë të verdhë në minutën e 38-të, duke lënë skuadrën e tij me një futbollistë më pak në fushë.

Fillimi i pjesës së dytë doli të jetë shumë më agresiv, mirëpo skuadrat nuk është se krijuan ndonjë rast ideal për gol.

Në këtë pjesë trajneri Grnçarov në lojë inkuadroi edhe sulmuesin Vlladimir Zhoglev, mirëpo Gostivari zhvilloi një lojë mjaft të mirë taktike, duke evituar të gjitha rreziqet para portierit Jashar.

Në fund barazim pa gola mes dy skuadrave pretendente për inkuadrim në Ligën e Parë, barazim ky që i shkon për shtati liderit aktual, Voska Sport, që ndeshjen e javës së 24-të do ta zhvillojë nesër në transfertën në Tetovë kundër Teteksit. (infOSport.mk)

 

Leave a Reply