Shkëndija do të zhvillojë ndeshjen e rradhës përballë Sileksit në kuadër të xhiros së 29-të të Ligës së Parë të futbollit të Maqedonisë. Fundjavën që lamë pas, “kuqezinjtë” nga Tetova thyen tabunë disa vjeçare, duke triumfuar në Shtip përballë Bregallnicës. Ishte ajo fitorja e 6-të rradhazi për skuadrën e Qatip Osmanit, që sot kundër skuadrës nga Kratova do të kërkojë suksesin e rradhës.
“Nuk do të jetë ndeshje e lehtë. Do i marrim ndeshjet nji nga nji, por kjo e të mërkurës do të jetë ndeshje e vështirë mendoj. Shpresojmë edhe në hap fals të kundërshtarit dhe pse jo, t’i afrohemi edhe akoma më shumë.” – u shpreh Bruni Dita për faqen zyrtare të klubit tetovar që aktualisht ndodhet 3 pikë mbrapa Struga Trim Lum.
“Jemi të lumtur që e kemi çuar deri në këtë pikë, por jemi akoma 3 pikë mbrapa Strugës. Shpresoj të vazhdojmë me këto rezultate, me këto ritme dhe në fund të dalim kampionë dhe ta sjellim titullin në Tetovë.” – deklaroi Dita.
Kujtojmë Struga Trim Lum kryeson renditjen me 53 pikë, derisa Shkëndija numëron 50 pikë, duke lënë pas vetes FC Shkupin me 46 pikë dhe kundërshtarin e sotëm, Sileksin, që pozicionohet në vendin e katërt me 43 pikë. (infOSport.mk)