Hendboll, arbitri shqiptarë Ismail Metalari do të ndajë drejtësinë në finalen e Kupës së Maqedonisë

Arbitri shkupjan i hendbollit, Ismail Metallari, vazhdon të jetë ndër më të mirët në profesionin e tij, duke ndarë drejtësinë në mënyrën më të mirë të mundshme, e që si pasojë i sjellin delegime të reja, si vendore, ashtu edhe ndërkombëtare.

Së fundmi, Metallari bashkë me Nenad Nikollovskin, janë deleguar për të ndarë drejtësinë në finalen e Kupës së Maqedonisë.

Federata e Hendbollit të Maqedonisë prej të enjten e deri të shtunën në palestrën “Burimet e Bilijanës” në Ohër do të organizojë ndeshjet e “final-four” të Kupës, ku në garë do të jenë Pelister Eurofarm, Vardar 1961, Prolet dhe Alkaloid.

Këta të fundit që udhëhiqen nga legjenda e hendbollit vendor, Kiril Lazarov në gjysmëfinale do të përballen me Vardar 1961, ndërsa në  gjysmëfinalen e parë që luhet sot me fillim në ora 17:30, Pelister Eurofarm do të përballet me Prolet.

Këtë ndeshje do ta referojë dyshja e arbitrëve Dimitar Mitrevski dhe Bllagojçe Todorovski, ndërsa gjysmëfinalen e dytë midis Vardar 1961 dhe Alkaloid që do të startojë në ora 20:30 do ta drejtojnë dyshja Sllave Nikollov dhe Gjorgji Naçevski.

Ndërkohë ndeshjen finale që në program është të shtunën do ta referojë dyshja e arbitrëve, Ismail Metallari – Nenad Nikollovski.

Federata e hendbollit gjithashtu ka caktuar edhe arbitrët që do të ndajnë drejtësinë në konkurrencë të femrave.

Kështu finalen e madhe, në të cilën pa fare luftë do të luaj skuadra e Kumanovës, për shkak tërheqjes së Metalurgut, dhe ku do të mirëpret fituesin nga takimi midis Vardarit dhe Gjorçe Petrovit, do ta drejtojnë dyshja e arbitrëve Viktor Andonov dhe Stojançe Jovanovski, derisa dyshja Jashar – Kaspareva do të ndajnë drejtësinë në ndeshjen e vetme gjysmëfinale midis Vardarit dhe Gjorçe Petrovit.

Kujtojmë, edhe ndeshjet e vashave do të zhvillohen në palestrën “Burimet e Bilijanës” në Ohër. (infOSport.mk)

Leave a Reply