Struga me Duron e mbyll me fitore, fiton edhe Shkëndija!

Struga Trim Lum e ka mbyllur në mënyrën më të mirë sezonin 2022/23. Pasi edhe matematikisht kishin siguruar titullin e kampionit që dy xhiro më herët, djelmoshat e trajnerit Shpëtim Duro në ndeshjen e xhiros së fundit në terren vendas mundën FC Shkupin, duke rrumbullaksuar sezonin më të suksesshëm në histori me fitore.

Pavarësisht se Shkupi në pushim kishte shkuar me epërsinë e një goli, pas atij të shënuar nga Sandej Adetunxhi, kampionët e Struga Trim Lum dolën me fytyrën e tyre të vërtetë në pjesën e dytë, kur edhe përmbysën gjithçka, falë golave të shënuar nga Marjan Radeski dhe Besart Ibraimi.

Shkëndija falë zëvendësimeve të qëlluara nga trajneri Qatip Osmani nga Shkupi u largua me fitore.

“Kuqezinjtë” në stadiumin Boris Trajkovski në Maxhari mundën Rabotniçkin me shifrat 2:1. Lupçe Doriev (51’) dhe Adenis Shala (76’) ishin realizatorë të golave, derisa golin e nderit për “romantikët” e realizoi Anes Rusheviç në minutën e 53-të, kur edhe përkohësisht kishte barazuar rezultatin.

Fitore identike 2:1 në transfertë regjistroi edhe Bregallnica përballë Skopjes, Akademia Pandev dhe Sileksi u ndanë në barazim 2:2, me 4 golat që u shënuan në 18-të minutat e para të takimit, ndërkohë Tikveshi, ashtu edhe siç pritej mundi Pobedën në Prilep me shifrat 4:1.

E lirë xhiron e fundit, ishte skuadra e Makedonija GJ.P, që të shtunën do të luaj në finalen e madhe të Kupës së Maqedonisë përballë kampionëve në Struga Trim Lum. (infOSport.mk)

LPFMV – Java 33

Struga Trim Lum 2:1 FC Shkupi
Rabotniçki 1:2 Shkëndija
Skopje 1:2 Bregallnica
Ak.Pandev 2:2 Sileksi
Pobeda 1:4 Tikveshi
Makedonija GJ.P e lirë    

Leave a Reply