Mazrekaj: Erdha me insistim të trajnerit Duro, shpresoj me eksperiencën time të ndihmoj skuadrën

Mentor Mazrekaj është përforcimi i parë zyrtarë i kësaj merkatoje te skuadra e Struga Trim Lum. Bëhet fjalë për një futbollistë me mjaft eksperiencë i cili skuadrës strugane i bashkohet nga rradhët e Laçit.

Një periudhë të bukur, Mazrekaj te skuadra laçiane kishte punuar nën urdhërat e trajnerit aktual të Struga Trim Lum, Shpëtim Duro, i cili njëherit ka qenë edhe më i merituari për këtë transferim.

“Ky transferim erdhi nga insistimi i profesor Shpëtim Duros. Dihen raportet që kam me të dhe realisht nuk mund ta refuzoja. Jam shumë i lumtur që do të jem pjesë e skuadrës së Struga Trim Lum, që edicioin e kaluar shkroi histori duke u shpallur kampion i Maqedonisë” – u shpreh fillimisht Mazrekaj.

Futbollisti prishtinas që sërish do të vihet nën urdhërat e tranerit Duro, beson se nuk do ta ketë të vështirë adaptimin te skuadra e Struga Trim Lum.

“Shpresoj se do të adaptohem shpejtë këtu. Një mikëpritje e ngrohtë që në ditën e parë bënë që të besoj këtë gjë, ndërsa gjithashtu besoj se me eksperiencën time do të ndihmojë skuadrën fillimisht në garat europiane, aty ku kemi luajtur edhe bashkë me profesor Duron, por gjithsesi edhe në kampionat, ku me epitetin e kampionit, do ta kemi paksa më të vështirë, pasi tashmë gjitha skuadrat do shohin me sy ndryshe ndaj nesh, megjithatë neve jemi kampion dhe si të tillë besoj se edhe sezonin e ri do luajmë një rol të rëndësishëm në Ligën e Parë” – thotë Mazrekaj, i cili me skuadrën tonë ka nënshkruar kontratë një vjeçare.

Ndryshe, Mazrekaj si një prishtinas, karrierën e kishte nisur te Prishtina, për të luajtur më pas edhe te Ferizaji, 2 Korriku dhe te KF Llapi, ndërsa pati një aventurë shumë të shkurtër edhe në Norvegji.

Ai në Shqipëri ka zhvilluar më shumë se 200 ndeshje, 190 ndeshje në Superligën shqiptare dhe 20 në kuadër të Kupës, 22 ndeshje kishte zhvilluar në Superligën e Kosovës, ndërsa gjithashtu numëron edhe 12 ndeshje europiane. (infOSport.mk)

Leave a Reply