Historike, Struga Trim Lum do luaj në ndeshjet e “play-off” të Ligës së Konferencës

Struga Trim Lum vazhdon të shkruaj historinë në futbollin europian. Skuadra e themeluar nga Kompania gjigande “Trim-Lum” që u themelua vetëm 8 vite më parë sonte siguroi një vend për në ndeshjet e “play-off” të Ligës së Konferencës. Vërtetë një sukses i jashtëzakonshëm i skuadrës strugane, për të cilën edhe njëherë tjetër shënoi Besart Ibraimi.

Bomber kërçovarë nuk njeh limite të moshës, ndërsa më së miri këtë e demonstroi edhe sonte në transfertën në Luksemburg ndaj Sëift Hesperange, ndaj së cilës skuadër shënoi golin e vetëm në disfatën 2:1.

Mirëpo pavarësisht kësaj disfate, Struga Trim Lum vazhdoi tutje në ndeshjet e fazës “play-off”, aty ku do të luaj ndaj skuadrës islandeze të Breidablik.

Ndeshja nuk nisi aspak mirë për skuadrën e Struga Trim Lum, pasi në minutën e 15-të skuadra e Shëptim Duros mbeti me një lojtar më pak në fushë, pas përjashtimit me të kuq të Marjan Radeskit, një tjetër futbollisti që ishte në formën e tij më të mirë.

Mirëpo pavarësisht mungesës së tij, Ibraimi vetëm dy minuta më vonë shtangu vendasit, duke kaluar në avantazh skuadrën e Struga Trim Lum, që gjatë pjesës së parë mund të shënonte edhe dy gola të tjerë dhe të zgjidhte çështjen e udhëtuesit, ndoshta edhe të fituesit të takimit, në rast se  Besart Ibraimi në minutën e 22-të dhe Bunjamin Shabani në minutën e 33-të do të shfrytëzonin mundësitë e arta, kur dolën të vetmuar para portierit kundërshtarë.

Këto raste të humbura mund të ju riktheheshin si “boomerang” futbollistëve të Struga Trim Lum, që pavarësisht disavantazhit numerik në fushë, në asnjë moment nuk u dorëzuan, duke luajtur lojën e tyre sulmuese, ku herë pas here tentonin me Besart Ibraimin dhe Bujamin Shabanin, derisa në anën tjetër në portë i sigurtë ishte Qoshevski, por jo edhe në minutën e 70-të kur braziliani Gustavo shënoi për 1:1, derisa në minutën e katërt shtesë nga gjithsej 12 minuta, Lado Akhalaia, sulmuesi 21-vjeçar nga Moldavia të shënojë edhe golin e dytë, mirëpo që në fund vlente vetëm për statistikë, pasi Struga Trim Lum me rezultatin e përgjithshëm 4:3 siguroi një vend për në fazën “play-off”, që njëherit është edhe suksesi më i madh i skuadrës strugane.  (infOSport.mk)

Leave a Reply