Ish sulmuesi i Borecit i bashkohet Gjilanit

Ish sulmuesi i Borecit, Edi Basha karrierën do ta vazhdojë në Kosovë. Sulmuesi kroat, i cili në dy edicionet e fundit luajti me Kukësin në Superligën shqiptare do ti bashkohet ekipit të Gjilanit në Superligën e Kosovës.

Basha është një lojtar cilësor, teksa në dy sezonet me Kukësin luajti në 74 ndeshje mes kampionatit dhe Kupës, duke shënuar dhe 14 gola. Kujtojmë, i njëjti gjatë vitit 2021 pati një aventurë të shkurtër 4 muajshe me fanellën e Borecit, për të cilën skuadër në 11 ndeshje kampionale realizoi 3 gola.

Burime të sigurta për “SuperSport” bëjnë me dije se 30-vjeçari tashmë është dakorduar me drejtuesit e rinj të Gjilanit dhe se do të vihet menjëherë nën urdhrat e teknikut vlonjat, Gentian Mezani, i cili është rikthyer sërish për të udhëhequr skuadrën kosovare, që ende nuk ka zhvilluar asnjë ndeshje zyrtare në kampionatin e ri, për shkak problemeve që u shfaqën vetëm pak para fillimit të sezonit.

Mezani ka nisur nga puna për të ndërtuar skuadrën, pasi menjëherë pas Kupave të Europës nga Gjilani u largua pjesa më e madhe e lojtarëve.

Afrimi i investitorëve bëri që gjërat të ndryshojnë dhe me financat e sigurta, Gjilani pritet që dhe në edicionin e ri të jetë pretendent.

Skuadra nuk luajti ndeshjen e javës së parë me Fushë Kosovën, pikërisht për shkak të situatës ku ndodhej klubi, por tani që gjërat janë stabilizuar Gjilani pritet të kthehet në fushë që këtë javë. Ndeshjen e xhiros së dytë skuadra gjilanase do ta zhvillojë gjatë ditës së nesërme kundër Prishtinës.

Leave a Reply