Besart Ibraimi flet për suksesin historik në Europë dhe ndeshjen me Tikveshin

Struga Trim Lum bëri një sezon të shkëlqyer në garat europiane, duke arritur deri në fazën “play-off” të Ligës së Konferencës. Pa dyshim është ky suksesi më i madh në historinë e klubit strugan, për të cilin ka folur edhe një ndër më të merituarit, Besart Ibraimi.

Bomberi kërçovar në 8 ndeshjet e zhvilluara europiane, realizoi 7 gola, duke qenë një lider i padiskutueshëm.

“Besoj se patëm një rrugëtim shumë të mirë, është kënaqësi që jemi pjesë e historisë më të lavdishme të Struga Trim Lum. Ishim shumë afër grupeve të Ligës së Konferencës, mirëpo futbolli është i tillë, jo gjithnjë fitojnë më të mirët, apo edhe dëshira e madhe për të ecur tutje. Tashmë i gjithë fokusi ynë do të jetë i përqëndruar në futbollin vendor, aty ku sot na pret ndeshja kundër Tikveshit. Shpresoj që bashkë me pjesën tjetër të skuadrës të japim maksimumin, duke shpresuar njëkohësisht që 3 pikët të mbeten në Strugë” – u shpreh fillimisht Besart Ibraimi, i cili foli edhe për dallimin mes ndeshjeve europiane dhe atyre në kampionat.

“Normalisht që ndeshjet europiane janë krejtësisht një nivel tjetër, mirëpo tashmë i rikthehemi realitetit, futbollit vendor, aty ku duhet të fokusohemi në tërësi dhe të japim më të  mirën, me shpresë dhe vetëbesim se mund të përsërisim suksesin e vitit të kaluar” – deklaroi Ibraimi.

3 fitore në gjithsej 8 ndeshje europiane, për një skuadër si Struga Trim Lum, është një sukses i jashtëzakonshëm, për më tepër që ishte ky vetëm edicioni i dytë, në të cilin skuadra strugane po garonte në kupat europiane.

“Pavarësisht se nuk arritëm të kualifikohemi në grupet e Ligës së Konferencës, mendoj se është ky një sukses i jashtëzakonshëm. Për këtë duhet falënderuar edhe drejtuesit e klubit, që gjithashtu besojmë se kanë mbetur të kënaqur, ndërsa më shumë fat në edicionet e ardhshme, ku sërish do të pretendojmë të bëjmë më të mirën” – theksoi Ibraimi, i cili foli edhe për golat e tij, për më tepër që të njëjtit i kanë shërbyer skuadrës.

“Normalisht që jam shumë i kënaqur me golat e mi, për më tepër që kanë ndikuar edhe në sukseset e skuadrës tonë në Europë. Kjo është detyra ime në fushën e blertë, aty ku shpresojë të jap më të mirën edhe në kampionat” – tha Ibraimi, duke vijuar: “Nga neve sulmuesit kërkohen që të shënojmë gola dhe kur arrijë të bëjë një gjë të tillë, mendoj se jam i plotësuar, por kur me golat e mi janë të kënaqur edhe të tjerët, përfshirë këtu stafin teknik, bashkëlojtarër, drejtuesit dhe tifozët, atëherë kjo më plotëson edhe më shumë si sulmues” – shprehet Ibraimi, i cili pavarësisht lodhjes që ndjen personalisht, por edhe e gjithë skuadra, thotë se në takimin e sotëm kundër Tikveshit do të gjejnë forcën e duhur për të marrë një rezultat pozitiv dhe të filojnë një seri të rezultateve pozitive në prag të pushimeve ndërkombëtare.

“Unë besoj te skuadra që kemi. Gjithashtu besoj se të gjithë ne do të gjejmë forcën dhe do të reagojmë në momentin e duhur, pavarësisht lodhjes që ndjejmë. Normalisht që lodhja është e dukshme tek të gjithë ne, por besoj se për një çast do të harrojmë lodhjen dhe do të tentojmë të marrim fitoren dhe 3 pikët e rradhës në kampionat, aty ku na presin shumë ndeshje” – përfundoi Ibraimi, i cili ka shënuar në të gjitha kompeticionet ku ka marrë pjesë deri më tani me Struga Trim Lum gjatë këtij edicioni.

Ibraimi shënoi në eliminatoret e Ligës së Kampionëve kundër Zhalgiris, pastaj në ndeshjet e Ligës së Konferencës, ndërsa gjithashtu realizoi edhe në kampionat, aty ku mbanë epitetin e golashënuesitë më të mirë nga edicioni i kaluar, por në përgjithësi edhe në historinë e Ligës së Parë.

Leave a Reply