Struga Trim Lum rikthehet me fitore në kampionat, dyshja Ibraimi-Radeski sërish në element (VIDEO)

Struga Trim Lum është rikthyer për të fituar me stil në ndeshjet e kampionatit vendor. Pas aventurës më se të suksesshme në arenën ndërkombëtare, ku për herë të parë në histori arritëm të luajmë deri në fazën “play-off” të Ligës së Konferencës, sot të besuarit e trajnerit Shpëtim Duro shënuan fitore 3:1 përballë Tikveshit në ndeshjen e fundit të xhiros së 6-të.

Dyshja Besart Ibraimi – Marjan Radeski sërish ishte në element, duke shënuar që të tre golat e takimit, ndërsa shumë pak mungonte, që Ibra të rrumbullaksonte edhe “tripletën” e parë në sezonin e ri në mesin e më të mirëve në futbollin vendor.

Marjan Radeski hodhi poshtë një rast që në fillim të takimit, kur mjaft mirë pranoi një top brenda zonës nga Mentor Mazrekaj, mirëpo i njëjti doli në skenë në minutën e 16-të, kur me një gjysmë roveshatë, shënoi një super gol për epërsinë e skuadrës së Struga Trim Lum.

Pas Radeskit në skenë doli Besart Ibraimi, i cili në minutën e 20-të përfitoi penalti, të cilën më pas e shndërroi në gol. Ishte kapiteni kundërshtarë, Varelovski, i cili kishte ndalur në mënyrë të palejuar kapitenin tonë, me ç’rast arbitri kryesor e kishte ndëshkuar me kartonin e parë të verdhë.

Në minutën e 32-të pas një kundërsulmi të udhëhequr nga Neziri nga krahu i djathtë dhe super asistimit të tij, Besart Ibraimi me kokë nuk fali sërish, duke shënuar edhe golin e dytë personal dhe të tretin për ekipin strugan.

Mysafirët nga Kavadari në minutën e 37-të përmes Xhema Ibishit gjetën golin e parë dhe të fundit të këtij takimi, kjo pasi minutat në vijim deri në fund nuk prodhuan gola, por dy kartonë të kuq, nga një në secilën anë.

Fillimisht kapiteni Varelosvki në minutën e 38-të ishte ndëshkuar edhe me kartonin e dytë të verdhë, ndërsa të njëjtën gjë e pësoi edhe lojtari ynë, Edis Maliqi, i cili në minutën e 59-të, ishte i detyruar që të braktis fushën.

Mirëpo largimi nga loja e Maliqit, nuk pengoi skuadrën strugane që të vazhdojë të sulmojë, me ç’rast në minutën e 63-të Shabani u ndal në mënyrë të palejuar brenda zonës.

Përgjegjësinë për të ekzekutuar këtë 11-të metërsh e morri Besart Ibraimi, i cili nuk arriti që të kurorëzojë “tripletën” e parë në kampionat, pas asaj në Ligën e Konferencës kundër Hesperange, mirëpo i njëjti gaboi nga pika e bardhë, të cilën mjaft mirë i’a kishte lexuar portieri Dimovski.

I njëjti doli fitues edhe përballë Radeskit në minutën e 67-të, kur me gishtërinjtë e tij devijoi topin në rivënie nga këndi.

Në pjesën e dytë ishin edhe Mazrekaj dhe Neziri që rrezikuan portën mysafire, ndërsa bomba e Besmir Bojkut nga një distancë e largët për disa centimetra përfundoi mbi traverzë.

Fitorja e sotme ishte e dyta në kampionat nga gjithsej 3 ndeshje për skuadrën e Struga Trim Lum, që me 6 pikë të tubuara renditet në pozitën e 9-të.

Leave a Reply