Bregallnica, skuadra e preferuar e nigerianit, Hogan Ukpa

Hogan Ukpa po zhvillon sezonin e dytë me fanellën e Struga Trim Lum. Nigeriani 21-vjeçar skuadrës strugane iu bashkua verën e vitit 2022, kur erdhi nga rradhët e FK Liepaja. Ai në edicionin e tij të parë luajti në 27 ndeshje kampionale, duke regjistruar edhe 2 gola dhe 4 asistime me fanellën e Struga Trim Lum, njofton “infOSport.mk”.

Në fillim të kampionatit të kaluar, në pjesën më të madhe të ndeshjeve i njëjti luante titullarë me Zaharievskin si trajner, ndërsa me ardhjen e Shpëtim Duros, gjërat ndryshuan.

Ukpa shumicën e ndeshjeve nën drejtimin e trajnerit aktual në pjesën e dytë të sezonit 2023/24 i niste nga bankina, njëjtë sikurse po ndodh edhe këtë edicion, përfshirë këtu edhe ndeshjet europiane, por edhe ato në kampionat.

Edhe të dielën kundër Bregallnicës, Ukpa në lojë u inkuadrua nga bankina, mirëpo kjo nuk e pengoi nigerianin për të shënuar golin e parë në sezonin e ri.

Ukpa realizoi golin e fundit, të tretin ndaj Bregallnicës, skuadër kjo që po rezulton të jetë skuadra e preferuar e mesfushorit afrikan të Struga Trim Lum, kjo për faktin se që të tre golat që i ka shënuar me fanellën e skuadrës strugane në gjithsej 36 ndeshje, i ka shënuar pikërisht ndaj Bregallnicës!

Leave a Reply