Ditën e sotme “kuqezinjtë” e Shkëndijës do të zhvillojnë ndeshjen e fundit për vitin 2021, respektivisht ndeshjen përmbyllëse të sezonit vjeshtor. Kundërshtar i kampionëve në fuqi të vendit do të jetë ekipi i Skopjes, ndërsa ndeshja do të zhvillohet në stadiumin e qytetit në Tetovë me fillim në ora 13:00.
“Kuqezinjtë” janë në formë të mirë në ndeshjet e kampionatit pasi që në pesë ndeshjet e fundit kanë 4 fitore dhe një barazim, atë në ndeshjen e fundit kundër FC Shkupit në Çair.
Ndeshja e fundit e Shkëndijës kundër Skopjes u zhvillua më 19 shtator në lagjen Autokomandë të Shkupit, që përfundoi me fitoren e Shkëndijës me rezultatin 0:2, falë golave të shënuar nga Valmir Nafiu dhe Jan Krivak.
Përveç kësaj fitore, Shkëndija në përballjet ndaj Skopjes, ka regjistruar edhe 4 fitore të tjera, derisa 3 ndeshje janë mbyllur me barazime.
Pra në historikun e ndeshjeve të Ligës së parë, Skopje asnjëherë nuk ka arritur ti gëzohet fitoreve ndaj Shkëndijës, ndërsa me shumë gjasa ashtu do të jetë edhe pas takimit të sotëm. (infOSport.mk)