FC Shkupi kthehet me barazim nga Kavadari, Vosha shënon një super gol (VIDEO)

Në ndeshjen e javës së dhjetë të Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut, FC Shkupi ishte  mysafir në Kavadar, ku përballë kishte ekipin e Tikveshit, njofton “infOSport.mk”.

Në një ndeshje mjaft të luftuar nga të dyja skuadrat, e ku fundit i takoi skuadrës vendase, në fund e njëjta u mbyll me barazimin 1:1.

Ndeshja nisi me një kanosje të skuadrës mysafire, ku në qendër të vëmendjes ishte Suad Sahiti, mirëpo mbrojtja vendase reagoi me kohë, duke pastruar rrezikun.

Vendasit u kundërpërgjigjën me anë të Varelovskit, mirëpo goditja e tij me kokë përfundoi vetëm skaj shtyllës.

Ky rast ishte paralajmërim për atë që ndodhi në minutën e 24-të, kur pas një rivënie nga këndi topi i devijuar nga Serafimov, arriti vetëm deri te këmbët e Ediz Spahiut, i cili nuk fali dhe më të djathtën e tij nga një distancë prej 13-14 metrash shënoi në rrjetën e Iljazit për rezultat 1:0.

Mirëpo në minutën e 37-të erdhi kundërpërgjigjja nga ana e Arbi Voshës, i cili nga këndi i vdekur nga e majta dërgoi topin në këndin e djathtë për të mposhtur me një super gol Dimovskin dhe për të barazuar rezultatin në ato momente në 1:1.

Vetëm një minutë para kohës së rregullt të pjesës së parë, kapiteni dhe portieri Iljazi kishte një intervenim të mrekullueshëm, pas një goditje të befasishme nga Spirkoski.

Në fillimin e pjesës së dytë në lojë u inkuadrua Kristijan Trapanovski, i cili njëherit kishte edhe tentativën e parë për të shënuar, mirëpo goditja e tij përfundoi vetëm skaj portës.

Në minutën e 72 regjistruam edhe një goditje tjetër nga ana e Voshës, që u ndal nga portieri Dimovski.

Në fund të ndeshjes, nikoqirët rritën presionin drejt portës mysafire, duke krijuar disa raste të qindtpërqindta.

Fillimisht në minutën e 85-të falë intervenimit të Diene, i cili largoi topin nga vija fatale e golit, FC Shkupi shpëtoi pa pësuar gol, falë këtu edhe intervenimit të portierit Artan Iljazi, i cili shkëlqeu edhe në aksionin e rradhës, kur vetëm nga distanca prej një metre, mjaft mirë i mbylli këndin futbollistit vendas, Daniel Mojsov, duke mos e lejuar të shënojë golin e fitores për Tikveshin.

Në fund barazim 1:1 dhe ndarje të pikëve mes Tikveshit dhe FC Shkupit, që vazhdojnë të mbajnë pozicionet e tyre në renditje.

FC Shkupi mbetet në pozitën e dytë, tashmë me 19 pikë, vetëm një më pak se Shkëndija e vendit të parë, që ndeshjen e xhiros së 10-të do ta zhvillojë nesër kundër Vardarit në Maxhari të Shkupit, derisa Tikveshi me 14 pikë vazhdon të qëndrojë në pozitën e 6-të. (infOSport.mk)

Leave a Reply