FC Shkupi gjysmëfinalisti i fundit i Kupës së Maqedonisë (VIDEO)

FC Shkupi është skuadra e fundit gjysmëfinaliste e Kupës së Maqedonisë, pasi sot në ndeshjen e fundit çerekfinale eliminoi rivalin lokal, Rabotniçkin. Kjo ndeshje duheshe të zhvillohet gjatë ditës së djeshme në stadiumin “Boris Trajkovski” në Maxhari, mirëpo e njëjta u anulua për shkak reshjeve të dendura të shiut, ku si pasojë fusha nuk ofronte kushtet për lojë, shkruan “infOSport.mk”.

Kështu e njëjta u zhvillua sot në stadiumin “Petar Milloshevski” pranë kompleksit të FFM-së, aty ku skuadra e FC Shkupit shënoi fitore minimale 1:0, falë golit të shënuar nga Mario Mlladenovski në minutën e 16-të.

Mbrojtësi i “bardhebluve” përfitoi nga një harkim në zonë nga ana e Ali Adem, kur me kokë në shtyllën e parë arriti që të shënojë një gol të bukur, që në fund doli të jetë i mjaftueshëm për kualifikimin e FC Shkupit në mesin e katër skuadrave më të mira në kuadër të ndeshjeve të Kupës.

Kujtojmë, gjatë ditës së djeshme falë fitoreve minimale 1:0 ndaj Sileksit, gjegjësisht Bregallnicës, një vend për në gjysmëfinale siguruan Makedonija GJ.P dhe Voska Sport, si dhe Tikveshi, që eliminoi skuadrën e AP Brera përmes ruletit të penaltive.

Ndeshjet gjysmëfinale në program janë vitin e ardhshëm, edhe atë me datë 3 prill në program do jenë ndeshjet e para, ndërsa ato kthyese me 17 prill. (infOSport.mk)

Leave a Reply