Qyteti i Shkupit sot mirëpriti dy emra kolosalë të mundjes tradicionale turke. Në kryeqytetin tonë kanë mbërritur bashpehlivanët e Turqisë, fituesit e dyfishtë të turneut madhështor të Edirnes “Kırkpınar”, İsmail Balaban dhe Yusuf Can Zeybek. Balaban e ka fituar këtë turne të jashtëzakonshëm duke u shpall “bashpehlivan” në vitet 2013 dhe 2017, ndërsa Zeybek, dy vite rradhazi, edhe atë 2023 dhe 2024.
Bëhet fjalë për emrat më të mëdhenj që kanë ardhur ndonjëherë për të marrë pjesë në një turne të pehlivanëve në vendin tonë, pasi janë fitues të evenimentit që jozyrtarisht cilësohet edhe si Botërori i Pehlivanëve apo kulmi i mundjes tradicionale.
Të gjithë këta kampionë, bashkë edhe me mundës tjerë nga Azerbajxhani, Turqia, Bullgaria, Greqia e trevat tona, janë bashkuar në Shkup falë organizatorit të këtij eventi, Tatin Qehaja, i cili u bën thirrje të gjithë dashamirëve të këtij sporti të lashtë që nesër nga ora 10:00 të jenë të pranishëm në Qendrën Rekreative Sportive Kale, për të qenë dëshmitarë të një ngjarjeje që pritet të jetë ndër më madhështoret në vendin tonë viteve të fundit.
Në këtë turne, gjithashtu pjesëmarrjen e tij e ka konfirmuar edhe Shaqir Bislimi, ndryshe djali i pehlivanit të njohur Hasan Bislimi.
Vlen të theksohet se Shaqir Bislimi po vijon studimet e larta në Dagestan të Rusisë, aty ku paralelisht po ndjek gjithashtu edhe stërvitjet me yjet më të mëdhenj të sportit të mundjes, si Abdulrashid Sadulaev dhe shumë emra të tjerë.
