FC Shkupi Academy vazhdon të ndërtojë të ardhmen mbi siguri, vlera dhe traditë, duke njoftuar emërimin e Bekim Baftjarit në postin e Drejtorit të Akademisë.
Akademia bëhet edhe më e fortë dhe më e sigurt me një njeri dem baba dem i FC Shkupit, i rritur dhe i formuar me frymën bardheblu.
Bekim Baftjari është djali i trajnerit më të vjetër dhe më meritor të klubit nga Çairi, njeriut nga i cili kanë dalë shumë lojtarë dhe trajnerë që sot janë pjesë e futbollit vendor – Bajrush Baftjari, i njohur si Aga Bajrush, një emër me vlera të mëdha dhe kontribut historik për FC Shkupin.
Në strukturën e re organizative, Bekim Baftjari do të jetë krahu i djathtë i Koordinatorit të FC Shkupi Academy, Ferdi Ismaili, një tjetër emër i njohur, i cili vite me rradhë luan edhe rolin e ndihmës trajnerit te përfaqësuesja A e Maqedonisë në konkurrencë të femrave.
Kujtojmë, edhe Ismaili është rritut dhe ndërtuar si futbollistë te FC Shkupi, ndërsa bashkë me Baftijari Jr., do të formojnë një tandem serioz, profesional dhe premtues, që garanton punë të ndershme, disiplinë dhe zhvillim afatgjatë të gjeneratave të reja.
Ky bashkëpunim është një mesazh i qartë për publikun dhe për gjithë familjen e FC Shkupit: “Akademia ndërtohet mbi traditë, dije dhe njerëz me identitet, për të vazhduar rrugën e sukseseve dhe për të nxjerrë kampionë të rinj. “Pëllumbat” nga Çairi gjithmonë kanë pasur kampionë – dhe do të vazhdojnë të kenë dhe të fluturojnë lartë në qiellin “bardheblu” për të rikthyer në binaret e duhura klubin ku rriten dhe frymojnë”.


