Ndryshon kalendari i Ligës së Kombeve

Vëmendja e madhe e përfaqësueses futbollistike të Maqedonisë, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë, pa dyshim se është përqëndruar fillimisht për ndeshjet “Play Off”, përmes të cilave do të kërkojnë një vend për në Botërorin e këtij viti që do të luhet në qershor dhe korrik.

Ndërkohë, UEFA paralelisht është duke vazhduar programin e saj për përgatitjen e Ligës së Kombeve të këtij viti.

Shorti do të hidhet më 12 shkurt, me Maqedoninë dhe Kosovën që për herë të parë do të garojnë në Ligën B, derisa Kombëtarja shqiptare do të luaj në Ligën C pasi nuk ia doli dot të qëndronte në Ligën B.

Për herë të parë, ky kompeticion do të ketë një kalendar ndryshe. UEFA ka menduar që ndeshjet e para të grupeve të luhen të gjitha afër njëra-tjetrës. Pra, nga 26 shtatori deri më 6 tetor, Maqedonia, Kosova, Shqipëria, ashtu si gjitha kombëtaret e tjera, do të luajnë 4 ndeshje.

Kësisoj futbollistët do të qëndrojnë më shumë kohë me njëri-tjetrin, në një grumbullim të gjatë. Kjo gjë është bërë për t’u ardhur në ndihmë trajnerëve të Kombëtareve për të punuar më shumë me njëri-tjetrin, por edhe skuadrave evropiane që lojtarët e tyre të mos shkëputen disa herë nga kampionatet.

Dy ndeshjet e fundit në grupin e Ligës së Kombeve do të luhen gjatë muajit nëntor.

Leave a Reply