Basri Jusufi, një nga mundësit më të mirë shqiptarë në garën e pehlivanëve, është i pari që e kishte mundur Dejan Mitrovin, ndaj të cilit së fundmi në mënyrë spektakolare kishte triumfuar edhe shkupjani, Shaqir Bislimi, shkruan “infOSport.mk”.
Shaqiri, ndryshe djali i ish mundësit të mirënjohur, Hasan Bislimi, mundi Mitrovin me datë 28 dhjetor në palestrën “Kale”, aty ku u zhvillua një ndër turnetë më të mëdhenj kohëve të fundit në kryeqendrën tonë në garën me pehlivanë.
Shaqiri në këtë turne kishte ardhur enkas nga Dagestani, aty ku po vijon studimet universitare, por që paralelisht vijon gjithashtu edhe stërvitjet si mundës, me emra të mëdhenj të shkollës së atjeshme, që është një ndër shkollat më të fuqishme në sportin e mundjes.
Ai nga Dagestani i largët kishte arrdhur enkas për një luftë me Dejan Mitrovin, duke i dhënë fund një dominimi disavjeçar të mundësit nga Shtipi, ndaj të cilit para më shumë se tre viteve kishte triumfuar edhe mundësi nga Studeniçani, Basri Jusufi.
Një gjë e tillë kishte ndodhur me 8 maj të vitit 2022 në fshatin Debreshtë të Prilepit, ku morrën pjesë rreth 80 pehlivanë nga Maqedonia, por edhe vendet nga Turqia, Bullgaria dhe Shqipëria.
Lufta midis Jusufit dhe Mitrovit atë kohë kishte zgjatur plotë 25 minuta, ndërsa momentin e triumfit të djaloshit nga Studeniçani mund ta shihni në videon më poshtë. (infOSport.mk)

