Përfaqësuesja e Kosovës në futboll vazhdon të ngjitet në renditjen më të re të FIFA-s. “Dardanët” kanë përfituar një pozicion dhe tashmë renditen në pozitën e 79-të, derisa Shqipëria dhe Maqedonia nuk ndryshojnë pozicione, duke mbajtur gjegjësisht pozitën 63 dhe 66.
Sigurisht që Kupa e Afrikës e mbyllur këtë të dielë ka ndikuar jo pak në klasifikimin e parë të FIFA për këtë vit, me dy skuadrat finaliste që kanë bërë shumë shumë progres duke ngjitur shkallë në këtë renditje.
Kështu Maroku edhe pse humbi në finale e sheh veten mes 10 ekipeve më të mira të botës duke u pozicionuar në vendin e 8, një ngjitje me 3 vende në krahasim me muajin e kaluar.
Ndërsa skuadra kampione e Afrikës, Senegali fitoi 5 vende dhe ngjitet në vendin e 12, një pozicionim që zbret Italinë në vendin e 13. Përsa i përket kreut, Spanja vazhdon të jetë në vendin e parë, e ndjekur nga Argjentina kampione e botës në vendin e dytë dhe Franca në të tretin.
