Stinori pranveror starton me 10 shkurt me super derbin shqiptarë, Shkëndija-Struga Trim Lum

Liga e Parë e futbollit të Maqedonisë së Veriut rikthehet zyrtarisht në aksion më 10 shkurt, kur starton gjysmësezoni pranveror me dy ndeshje të vlefshme për javën e 17-të.

Pa dyshim e gjithë vëmendja do të përqëndrohet në Tetovë, aty ku mejdanin do të ndajnë dy skuadrat më të mira shqiptare, Shkëndija dhe Struga Trim&Lum, derisa po të njëjtën ditë në kryeqendrën tonë do të luhet edhe takimi midis Shkupit dhe Tikveshit. Që të dyja ndeshjet do të luhen me fillim në ora 14:00.

Java e 17-të vazhdon me ndeshjet e së mërkurës, 11 shkurt, kur në Shkup, kampioni vjeshtorë, Vardari do të mirëpret Arsimin, ndërkohë në Kratovë, Sileksi do të jetë nikoqir i Bashkimit.

Dy ndeshjet e fundit të kësaj xhiroje, janë paraparë për të enjten e 12 shkurtit, kur në Strumicë, AP Brera do të mirëpret Makedonija Gj.P., teksa në Manastir Pelisteri do të përballet me Rabotniçkin.

Vetëm dy ditë më vonë, 14 shkurt, do të nis xhiroja e 18-të me përballjen Tikveshi – Shkëndija, ndërsa ndeshjet e tjera do të luhen në ditët në vijim, edhe atë deri të martën.

Nga Federata e Futbollit e Maqedonisë së Veriut është bërë e ditur se, pavarësisht konsultimeve për zhvillimin e ndeshjeve në dy ditë, për arsye teknike sezoni pranveror do të vazhdojë me të njëjtin sistem si në pjesën vjeshtore, duke garantuar implementimin e VAR-it në çdo ndeshje të LPFMV-së.

Leave a Reply