Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, sot në Kuvend është pyetur në lidhje me fyerjet anti-shqiptare të tifozëve të Vardarit në ndeshjen futbollistike ndaj KF Bashkimit të zhvilluar në Shkup.
Toshkovski tha se janë duke ndërmarrë masa për të zbuluar tifozët që fyenin në baza etnike në ndeshjen e së shtunës që u zhvillua pranë Federatës së Futbollit vendor.
Toshkovski tha se MPB-ja është duke siguruar dëshmi dhe është duke identifikuar kryerësit e këtij akti.
Ai gjithashtu tha se ka ndjerë neveri kur ka dëgjuar brohoritjet gjatë ndeshjes në fjalë, e për këtë numri 1 i policisë në vend ka akuzuar BDI-në, se nuk ka punuar për të përmirësuar gjendjen për njëzet vite në pushtet.
“E neveritshme ndjenja. Është e neveritshme dhe shumë e keqe. Skena të tilla ka çdo kund në botë në ndeshje sportive. Po të vepronit ju në 20 vitet e kaluar nuk do të ishim në këtë gjendje. Kur ju të luftoni për maqedonasit ashtu siç unë luftoj për shqiptarët, qytetarët do të kenë qasje më ndryshe ndaj të gjitha sfidave dhe do të kishim shoqëri të mirë. Ministria po vepron, i identifikon kryerësit, shqyrton argumentet dhe do të veprojë në përputhje me dëshmitë që do t’i sigurojmë”, – tha Pançe Toshkovski.
