Struga Trim Lum të enjtën do të zhvillojë ndeshjen e javës së 26-të në kampionat kundër FC Shkupit. Do të jetë kjo përballja e tretë dhe e fundit brenda këtij edicioni midis këtyre dy skuadrave.
Në dy ndeshjet e para Struga Trim Lum shënoi fitore në të dyja ndeshjet që u zhvilluan në Strugë, ndërsa të njëjtën gjë struganët synojnë të bëjnë edhe sot në duelin e rradhës, që sërish do të zhvillohet në Strugë.
Në prag të këtij takimi, nga tabori i skuadrës strugane ka folur Gledi Mici, që sot pritet të zhvillojë ndeshjen e tij të 75-të në Ligën e Parë dhe të 23-tën me fanellën e Struga Trim Lum.
“Pritshmëritë si çdo takim janë 3 pikët. Neve si skuadër çdo ndeshje kemi dëshmuar që pavarësisht kundërshtarit luajmë për fitore dhe ashtu do angazhohemi edhe në takimin e sotëm kundër FC Shkupit, pavarësisht situatës dhe pozitës në të cilën ndodhet kjo skuadër” – u shpreh Gledi Mici, i cili thotë se si skuadër synim kryesor vazhdojnë të kanë Evropën.
“Janë edhe shumë pikë në lojë dhe neve si Struga Trim Lum deri në fund do të synojmë të kapim vendin e dytë, shanset për Evropën mendoj se janë reale dhe se në fund do i’a arrijmë qëllimit” – vazhdoi Mici, dëshira e të cilit është që si skuadër deri në fund të sezonit të marrin të gjitha pikët e mundshme, që sezonin aktual ta mbyllim në mënyrën më të mirë të mundshme.
“E rëndësishme është fitorja sot kundër FC Shkupit, dhe më pas të mendojmë për ndeshjet e ardhshme që na presin. Synimi ynë është që të marrim të gjitha pikët e mundshme deri në fund dhe ta mbyllim këtë sezon ashtu si duhet dhe na ka hije si skuadër” – përfundoi intervistën Gledi Mici, që po zhvillon sezonin e parë me fanellën e Struga Trim Lum.

