Vardari edhe zyrtarisht është shpallur kampion i ri i Maqedonisë në futboll, pasi në xhiron e parafundit të sezonit 2025/26 shënoi fitore minimale 1:0, por të mjaftueshme kundër Struga Trim Lum, njofton “infOSport.mk”.
Golin e vetëm dhe të fitores për skuadrën shkupjane në transfertën në Strugë, e realizoi Stefan Cvetkoviç, edhe atë vetëm pas 5 minutave lojë.
Me këtë fitore, Vardari tashmë ka siguruar epërsinë e duhur një xhiro para fundit të sezonit. Në 32 javë, skuadra “kuqezi” nga Shkupi ka grumbulluar 80 pikë, 6 më shumë se Shkëndija e vendit të dytë, që para tifozëve të saj mundi AP Brera.
2:1 doli të jetë rezultati përfundimtarë i këtij takimi të zhvilluar në Tetovë, në të cilin golat për “kuqezinjtë” i shënuan Fabrice Tamba dhe Fahd Ndzengue, derisa golin e vetëm për skuadrën nga Strumica, e realizoi Viktor Velkovski në minutën e 81-të.
KF Arsimi regjistroi një fitore të madhe në transfertën në Kratovë ndaj Sileksit.
“Verdhezinjtë” e konsiderojnë si HISTORIKE këtë fitore, kjo pasi skuadra nga Çegrani siguroi mbijetesën në sezonin e tyre debutues në mesin e më të mirëve në futbollin vendor.
Golin e vetëm dhe të fitores për skuadrën e KF Arsimit, e realizoi Albin Ramadani në minutën e 53-të, me një goditje precize nga larg. (infOSport.mk)
