FFM, 105 mijë euro gjobë për Shkëndijën dhe përjashtim nga garat e Kupës për edicionin 2026/27!

Komisioni disciplinor pranë FFM-së ka dënuar shumë rëndë KF Shkëndijën, pas ndodhive në finalen e madhe të Kupës kundër Sileksit me 20 maj në arenën “Todor Proeski”.

Shuma e përgjithshme e gjobës kap shifrën e 105 mijë eurove, që është dënimi më i madh në histori ndonjëherë për ndonjë klub të Ligës së Parë. Përveç gjobës së majme, Komisioni Discipinor pranë FFM-së, gjithashtu ka vendosur të përjashtojë jashtë garës së Kupës për edicionin 2026/27 klubin tetovar.

Më poshtë ju njohim me gjobat dhe shumat e ndryshme të Shkëndijës:

  • KF Shkëndija dënohet me të holla në vlerë prej 15.000 eurove për shkak përdorimit të mjeteve piroteknike në ndeshjen finale të Kupës kundër Sileksit.
  • KF Shkëndija gjithashtu gjobitet me 10.000 euro për shkak të thirrjeve dhe sloganeve nacionaliste me përmbajtje fyese në baza kombëtare, si dhe 20,000 euro për shfaqjen e një banderole me përmbajtje naziste, për të cilën ata tashmë janë gjobitur edhe nga UEFA.
  • KF Shkëndija gjobitet me 30.000 euro dhe përjashtim nga garat e Kupës së Maqedonisë për sezonin 2026/27, për shkak të refuzimit të pranimit të medaljeve, si dhe për sjellje degraduese dhe mosrespektuese ndaj personave zyrtarë dhe ekipit kundërshtar.
  • KF Shkëndija, gjithashtu gjobitet edhe me 30.000 euro të tjera dhe ndalesë të publikut në katër ndeshjet e ardhshme në shtëpi, për shkak të mosrespektimit të himnit kombëtar, pra fërshëllimave, dhe sjelljes diskriminuese gjatë ndeshjes finale të Kupës së Maqedonisë.

Leave a Reply