Pasi vetëm disa orë më parë SC Gjilani njoftoi për ndërprerjen e bashkëpunimit me Ennur Totre, nga kjo skuadër njoftuan për përfundimin e bashkëpunimit edhe me ish futbollistin tjetër të Shkëndijës së Tetovës, Sabit Bilalin.
“Me përfundimin e kontratës, përfundoi edhe bashkëpunimi me mesfushorin nga Tetova, i cili u paraqit në 65 ndeshje kampionale dhe kater ndeshje të kupës me fanellën kuq e bardh, duke shënuar edhe tre gola.
Klubi dëshiron ta falënderojë Bilalin për përkushtimin, profesionalizmin dhe kontributin e dhënë gjatë periudhës sa ishte pjesë e familjes së Gjilanit. Angazhimi dhe korrektësia e tij kanë qenë të vlerësuara nga bashkëlojtarët, stafi dhe tifozët tanë.
I urojmë Sabitit shumë suksese në vazhdim të karrierës së tij, shëndet dhe arritje në çdo hap të rrugëtimit të tij profesional.
Faleminderit për gjithçka dhe suksese në sfidat e reja!” – thuhet në njoftimin e klubit gjilanas, që më parë kishte ndarë rrugët edhe me portierët Agron Kolaj dhe Vokli Laroshi, si dhe futbollistët, Leonit Abazi, Astrit Thaqi, Albin Prapashtica, Udoyen Akpan, Mario Zebiç, Shqiprim Taipi, Mevlan Adili dhe Edison Kqiku. (infOSport.mk)
