Agon Demiri me vetëm 16 vjet e 6 ditë debutoi me ekipin e parë të Struga Trim Lum

Adoleshenca është një nga periudhat më delikate dhe është e vështirë që djemve të kësaj moshe t’u marrësh më të mirën, kjo pasi shumica prej tyre nuk janë të përgatitur për sfidën që i pret.

Megjithatë, një gjë e tillë nuk mund të thuhet për Agon Demirin, djaloshin 16-vjeçar, që dje kundër GFK Ohrid Lihnidos bëri debutimin e tij me ekipin e parë të Struga Trim Lum.

Demiri në lojë u inkuadrua gjatë pjesës së dytë për t’u bërë një ndër lojtarët më të rinj që ka debutuar në historinë e klubit tonë që nga themelimi.

Me vetëm 16 vjet e 6 ditë, i njëjti do të vazhdojë të stërvitet me ekipin e parë, kjo me kërkesë të trajnerit Bledi Shkëmbi, që te Demiri sheh një talent të rrallë, e që realisht duhet shfrytëzuar për në të ardhmen.

Pra, data 1 gusht do të mbahet mend gjatë kohë nga talenti Agon Demiri, i cili me punë dhe shumë përkushtim mund të ëndërrojë që një ditë të kap majat e futbollit europian.

Leave a Reply