KF Shkëndija reagon pas ndodhive në ndeshjet e sotme në Tetovë dhe Kratovë

Vendimet skandaloze të arbitrave, të cilat në mënyrë të përsëritur kanë favorizuar Vardarin, kanë bërë që të vjen edhe reagimi i drejtuesve të Shkëndijës, të cilët thonë se kjo po dëmton rëndë integritetin e garës dhe po krijon një perceptim të rrezikshëm për mënyrën se si po administrohet nga Federata e Futbollit të Maqedonisë së Veriut ai që duhet të quhet “kampionati elitar”.

Ata thonë se kanë heshtur deri më tani me shpresën se do të ketë reflektim, mirëpo ajo që ndodhi në dy takimet e sotme në Tetovë dhe Kratovë, ka kaluar çdo kufi, ashtu që së fundmi kanë reaguar përmes faqes së tyre zyrtare.

Reagimi i drejtuesve të KF Shkëndijës:

Për një kohë të gjatë kemi zgjedhur të heshtim, duke besuar se institucionet përgjegjëse do të reflektojnë dhe do të marrin masa për të garantuar drejtësi në kampionat. Fatkeqësisht, ajo që ndodhi sot në dy ndeshjet e xhiros së 22-të të LPFMV-së (Shkëndija-Brera dhe Sileksi-Vardari) është kufiri i fundit.

Vendimet skandaloze të arbitrave, të cilat në mënyrë të përsëritur kanë favorizuar KF Vardar, po dëmtojnë rëndë integritetin e garës dhe po krijojnë një perceptim të rrezikshëm për mënyrën se si po administrohet nga Federata e Futbollit të Maqedonisë së Veriut ai që duhet të quhet “kampionati elitar”.

KF Shkëndija ka heshtur deri më tani me shpresën se do të ketë reflektim. Por, sot është e qartë se kjo heshtje e jona është interpretuar si dobësi.

Të detyruar nga ndodhitë e përsëritura, detyrohemi ta ngrisim zërin tonë dhe ta bëjmë shumë të qartë një gjë! Investimet në KF Shkëndija nuk janë para të komunës, e as të shtetit. Janë investime private, janë mundi dhe sakrifica jonë për të ndërtuar një klub serioz që përtej qytetit, përfaqëson denjësisht edhe vendin në garat ndërkombëtare. Pikërisht aty ku me investimet tona dhe sukseset në fushë, aty ku na u la të luajmë të lirë me kushte të barabarta me tjerët, përveç klubit, i kemi sjellë benefite të shumta edhe ligës vendore, klubeve dhe vendit.

Nëse kjo qasje e pabarabartë ndaj garës vazhdon, me referime skandaloze ne do të jemi të detyruar të vëmë seriozisht në pikëpyetje vazhdimin e investimeve tona në këtë ambient. Njëkohësisht, për gjithë ngjarjet, rrjedhën dhe zhvillimet e kampionatit tonë do të informojmë institucionet ndërkombëtare, përfshirë edhe UEFA-në.

Futbolli duhet të vendoset në fushë, jo në tavolinë. Shkëndija nuk kërkon asgjë më shumë se kaq!

 

Leave a Reply