FC Shkupi U19 ka siguruar një vend për në finalen e madhe të Kupës së Maqedonisë, njofton “infOSport.mk”. Të besuarit e trajnerit Alisa Vishi në një ndeshje shumë interesante dhe me shumë gola, në gjysmëfinale mundën rivalin e përjetshëm, Vardarin me shifrat 3:2.
Sudejs Çajani shënoi golin e parë të takimit, edhe atë vetëm pas 7 minutave lojë, ndërsa në minutën e 25-të, Shkëlqim Ferati dyfishoi epërsinë e “bardhebluve” në 2:0.
Me këtë rezultat skuadrat shkuan në pushim, ndërsa pas sakët 20 minutave lojë në pjesën e dytë, Nikolla Ristevski shënoi golin e parë për Vardarin në këtë takim, duke rikthyer shpresat e skuadrës nga Parku i Qytetit.
Ky gol ju dha krahë atyre, pasi në minutën e 80-të nga penaltia me anë të Markovskit barazuan shifrat në 2:2, duke bërë që fundi i ndeshjes të jetë shumë i zjarrtë dhe me shumë paqartësi.
Megjithatë, këto paqartësi i zgjodhi Ilir Xhoni, me golin e realizuar në minutën e 89-të. Ky i fundit njëherit doli të jetë edhe “xhokeri” i trajnerit Alisa Vishi, që e kishte inkuadruar të njëjtin në lojë vetëm në minutën e 84-të.
Në finalen e madhe, FC Shkupi U19 do të përballet me AP Brera U19, që në gjysmëfinale kishte eliminuar Pelsiterin, duke e demoluar me shifrat 8:0. (infOSport.mk)

