Eliminatoret e Botërorit, futsalistët e Maqedonisë munden nga Finlanda

Në ndeshjen e parë të eliminatoreve të vlefshme për Kampionatin Botëror, përfaqësuesja e futsallit të Maqedonisë është mposhtur 6:1 në transfertën ndaj Finlandës.

Fillimi i ndeshjes nuk paralajmëronte një fund të këtillë, pasi ndeshja nisi e ekuilibruar, me Finlandën që shënoi vetëm pas 3 minutave lojë me anë të Lasse Lintula, derisa kundërpërgjigjja nga “verdhekuqtë” erdhi vetëm dy minuta më vonë, kur Bojan Janev barazoi shifrat në 1:1.

Mirëpo kjo ishte e tëra nga ajo që treguan të përzgjedhurit e trajnerit Gazmend Hiseini, kur janë në pyetje golat, kjo pasi deri në fund të takimit, Finlanda përmes Sergej Korsunov, Matin Ahmadi, Aleksi Piritijoki, Anti Koivumaki dhe Lintula, shënoi edhe 5 gola të tjerë, për triumfin e thellë në fund prej 6:1.

Në fundin e ndeshjes, Maqedonia pati mundësinë të shënonte edhe golin e dytë, por Jakup Ramadani nuk arriti ta realizonte nga penalltia.

Në kuadër të xhiros së dytë të këtyre eliminatoreve, Maqedonia me 8 dhjetor në Shkup do të mirëpret Spanjën. (infOSport.mk)

Leave a Reply