Naser Aliji, pas ndeshjes së djeshme miqësore kundër Norvegjisë, refuzoi të fliste për mediat shqiptare. Ndoshta presioni i humbjes 0-1 të Kombëtares kuqezi ka “imponuar” mbrojtësin e majtë të mos dalë para gazetarëve.
Sot ai i është bashkuar skuadrës së tij në Itali, Virtus Entella, atje ku është pritur me mikrofon në dorë nga shoku i tij i skuadrës, sulmuesi tjetër shqitar, Azdren Llullaku. Ky i fundit ishte zgjedhur nga klubi të kryente rolin e gazetarit që do të intervistonte Alijin. Një intervistë ndryshe për mbrojtësin e majtë, fjalët e të cilit u përkthyen në italisht nga Llullaku.
Intervista
Llullaku: Naser, si u ndjeve që luajte me Shqipërinë?
Aliji: Për të gjithë shqiptarët është një ëndërr të luajnë me kombëtaren kuqezi. Për ne shqiptarët nuk ka gjë më të mirë se kaq.
Llullaku: Si po e ndjen veten te skuadra e Entella-s?
Aliji: Ndihem shumë i lumtur, sepse më kanë pritur të gjithë mirë. Kam pak probleme me gjuhën italiane, ndaj edhe komunikoj në anglisht. Por, po e mësoj gjuhën çdo ditë e më mirë. Edhe ti (i drejtohet Llullakut) po më ndihmon shumë për këtë pjesë. Jam shumë i lumtur këtu.
Llullaku: Kundërshtari ynë i radhës në kampionat është Palermo. Si e sheh këtë takim?
Aliji: Për ne është një ndeshje shumë e rëndësishme, sepse na duhen pikët. Jemi në formë të mirë dhe besoj se mund të fitojmë ndaj çdo kundërshtari. (Vipsport.al)