Borusia e Dortmundit me shumë gjasa edhe këtë vit nuk do të arrijë të zbresë nga piedestali skuadrën e Bajernit të Munihut. Vetëm një javë para përfundimit të sezonit 2018/2019, “bavarezët” kanë dy pikë më shumë se “milionerët”, të cilët javën e fundit do të kenë një transfertë të vështirë përballë Borusia Menhengladbahut, shkruan “infOSport.mk”.
Pikërisht nga kjo skuadër Dortmundi do të startojë me blerjen e futbollistëve të rinj për edicionin e ardhshëm, ku shpreson t’ia marrë titullin Bajernit të Munihut.
Drejtuesit e skuadrës nga “Sinjal Iduna Park”, thuhet se kanë arritur marrëveshje me homologët e tyre të Gladbahut për blerjen e mesfushorit belg, Torgan Hazard, ndryshe vëllai i Eden Hazard, i cili gjithashtu këtë merkato pritet të lëviz në drejtim të Realit të Madridit.
Torgan Hazard shihet si zëvendësim për Kristian Pulishiç, i cili vazhdon karrierën e tij te Çelzi, ndërsa shuma e transferimit të tij te Dortmundi, kap shifrën e 30 milion eurove.
Pritet të jetë kjo një blerje mjaft e qëlluar për Borusia Dortmundin, duke pasur parasysh statistikat e Torgan Hazard, që si një mesfushor ofenziv në sezonin që jemi duke lënë pas arriti të realizojë 10 gola dhe po aq asistime.