Kupa e Maqedonisë, Universiteti i Tetovës nesër mirëpret Janta Voley

Të enjten ekipi i volejbollit të femrave Universiteti i Tetovës para tifozëve të vetë do të zhvillojë ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Maqedonisë përballë skuadrës shkupjane të Janta Voley, njofton “infOSport.mk”.

Do të jetë kjo një ndeshje shumë e vështirë për të përzgjedhurat e trajneres Laureta Abazi, e cila beson se mund të befasojnë kundërshtarin e tyre.

“Ndeshja e nesërme është ndeshje vendimtare për ekipin tonë, sa e vështirë po aq edhe me peshë. Jemi përgatitur maksimalisht që ta befasojmë kundërshtarin edhe pse në rënditjen tabelare është e para. Besoj se do japim maksimumin që të kalojmë edhe këtë sfidë, andaj shpresoj në fitore” – tha enkas për “infOSport.mk” trajnerja e KV Universiteti i Tetovës, Laureta Abazi.

Ndeshja ndërmjet Universitetit të Tetovës dhe Janta Volej zhvillohet nesër në palestrën e vetë universitetit dhe njëjta fillon në ora 18:00, shkruan “infOSport.mk”.

Ndeshja e kthimit mes këtyre dy skuadrave në program është me 12 prill, ndërsa rikujtojmë se në ndeshjen tjetër gjysmëfinale që në program është nesër takohen Makedonija Maks dhe SVSK Kumanovë.

Leave a Reply