Intervistë me tenistin Besir Durguti: “Jam në super formë dhe i gatshëm për gara të reja”

Sukseset e sportistëve shqiptar nga Maqedonia si duket nuk kanë të ndalur. Po spikatin kudo, por këtë herë është rradha e tenistit shkupjan Besir Durguti.

Djaloshi i talentuar pas disa garave dhe sukseseve që pati vitin e kaluar, muajt e parë të vitit 2017-të i ka rezerveruar për stërvitje.

Nga fillimi i janarit ai ndodhet në Vjenë të Austrisë, ku po zhvillon përgatitje për garat që do të pasojnë në javët në vazhdim.

Ai flet për “infOSport.mk, duke thënë se kohët e fundit është shumë i zënë, por edhe shumë i lumtur për periudhën në të cilën po kalon: “Kanë qenë tre muaj të vështirë, ushtrimë intenzive me trajnerë të rangut botëror siç është Gilbert Schaller i cili është i ranguar në vendin e 17 në botë dhe Martin Spottl në vendin 181. Jam i lumtur që pavarësisht lodhjes, jam i rrethur me njerëz që përcjellin energji pozitive tek unë dhe më motivojnë që të jem akoma më i mirë në të ardhmen”.

Ndër të tjera Besiri potencon se këto ushtrime janë vetëm fillimi i gjërave që do të pasojnë së shpejti: “Kam stërvitje çdo ditë, nga katër orë tenis dhe dy orë fitnes. Shoh përparim te vetja në të gjitha aspektet dhe jam shumë i kënaqur me rezultatet që kam arritur deri tani. Së shpejti do të filloj me gara dhe kam disa opsione, por ende nuk kemi vendosur me menaxhmentin tim rreth kësaj. Jemi në mes të Hungarisë, Turqisë, Rumanisë ose Bosnje e Hercegovinës”.

23 vjeçari na zbulon edhe një “sekret”:  “Para disa kohësh kisha ftesë nga Kosova që të përfaqësoja shtetin në garat “Davis Cup”. Gjithashtu edhe për reprezentacionin e Maqedonisë, gjë të cilën e kam bërë të ditur dhe më parë, por nuk kisha mundësi të garoja për këto dy shtete sepse po bëhesha gati për një turne tjetër”.

I pyetur a do të kthehet në Shkup për të realizuar planet që ka, ai thekson se nuk ka vendosur akoma, por do të veproj ashtu siç do të rrjedhin ngjarjet.

Besiri do të marrë pjesë turneun e “ITF Futures” që ka fond prej 15.000 dollarësh. (Dona Kuçi, infOSport.mk)

Leave a Reply