Bie rekordi i Bufon! Njihuni me portierin e ri më të shtrenjtë në Botë

Mançester Siti ka transferuar portierin e Benfikës, Ederson, ka njoftuar klubi portugez përmes një publikimi, ku ka falënderuar portierin e vetë për kontributin e dhënë gjatë gjithë ato vite që kishte kaluar në skuadrën e tyre.

Sipas informacioneve që vijnë nga Anglia, shuma e transferimit të Ederson te Siti kap vlerën prej 34.75 milion sterlina (40 mln euro), që është rekord në vete kur janë në pyetje transferimet e portierëve.

Rekordin e deritanishëm e mbante Xhanluixhi Bufon, i cili në vitin 2001 për një shumë prej 32.6 milion sterlina kaloi nga rradhët e Parmës te Juventusi.

Benfika nga ky transferim do të përfitojë vetëm 20 milion euro, pasi pjesa tjetër do të ndahet në mes agjentit të portierit, Zhorzhe Mendesh dhe ish skuadrës së tij, Rio Ave.

Gjatë sezonit të fundit, Ederson regjistroi 39 paraqitje me Benfikën, me të cilën skuadër fitoi titullin e dyfishtë, kampionatin dhe Kupën.

Portieri brazilian është përforcimi i dytë te Mançester Siti, skuadër kjo e cila të premten firmosi me mesfushorin e Monakos, Bernardo Silva. Megjithatë si duket nuk do të jetë vetëm Silva, futbollisti i vetëm i transferuar nga Monako, pasi shumë pranë transferimit te Mançester Siti është edhe Benxhamin Mendi. Për shërbimet e tij thuhet se Siti do të paguaj plotë 40 milion sterlina.

Guardiola dëshiron që sa më shpejtë të siguroj shërbimet e portierit të Benfikës, pasi pikërisht pozita  e portierit i shkaktoi shumë probleme strategut spanjoll gjatë sezonit të kaluar.

Portieri Klaudio Bravo i cili për shumën prej 17 milion eurove erdhi nga Barcelona nuk plotësoi kërkesat e strategut spanjoll duke bërë paraqitje shumë të dobëta, që e detyruan  Guardiolan në disa nga ndeshjet të inkuadrojë në lojë portierin rezervë, Vili Kabaljero, i cili ditë më parë u largua nga Mançester Siti.

Mirëpo detyra e parë e Guardiolas është që të lirohet nga portieri i parë i skuadrës, Xho Hart, që sezonin e fundit e kaloi në formë huazimi te Torino.

Leave a Reply