Arda Turan largohet nga përfaqësuesja e Turqisë

Futbollisti i Barcelonës, Arda Turan ka konfirmuar largimin e tij nga përfaqësuesja e Turqisë.  Ndarja me futbollistin dhe skuadrës përfaqësueses erdhi si shkak i përleshjes së Arda Turanit me një gazetar gjatë udhëtimit me aeroplan pas ndeshjes së mbrëmshme që Turqia zhvilloi me Maqedoninë në Shkup. Zënka ka ndodhur, pasi gazetari i gazetës turke “Miliet” kishte ofenduar Turanin me tekste gjatë Kampionatit Evropian të zhvilluar në Francë vitin e kaluar, ndërsa që të dy janë përballur në aeroplanin e njejtë, me Turanin që është acarruar kur e kishte parë.

Sipas mediave turke, pas përleshjes, Turan është dëbuar nga kampi i përfaqësueses, ndërsa sot ai ka dalur në një konferencë për shtyp, duke njoftuar për largimin e tij.

“E dua vendin, flamurin dhe reprezentacionin tim. Shumë herë jam sakrifikuar, por mjaft është. Po e lëshoj reprezentacionin, nuk do të luaj më për Turqinë. Është pikëlluese, por nuk më vjen keq për këtë që bëra, pasi asnjëherë nuk kam harruar se çfarë kishte shkruar ai për mua”, tha Turan në konferencën e jashtëzakonshme për media, të cilën e thirri pasi që u dëbua nga kampi.

Arda për Turqinë ka debutuar në vitin 2006 kundër Luksemburgut dhe deri më tani ka luajtur 96 ndeshje, duke shënuar 17 gola. Ndryshe Turqia të dielën luan kundër Kosovës në kuadër të ndeshjeve kualifikuese për Botërorin Rusi 2018.

Leave a Reply