Kili mundi Kamerunin, Portugalia ndalet nga Meksika (VIDEO)

Dy gola në fundin e ndeshjes i kanë dhënë tri pikët e para Kilit përballë Kamerunit, në ndeshjen e parë të Kupës së Konfederatave, që po zhvillohet në Rusi.

Takimi i zhvilluar në Moskë mes kampionëve të Amerikës Latine dhe kampionëve të Afrikës nuk ka pasur pritshmëritë para startit, por e veçanta e kësaj ndeshjeje është se sërish “Video Asistenti” është bërë protagonist. Fillimisht anuloi një gol në fundin e pjesës së parë dhe herën e dytë akordoi gol, kur anësori çuditërisht dha pozitë jashtë loje.

Në fund Kili i udhëhequr nga Arturo Vidal shënoi fitore me rezultatin 2:0 falë golave të shënuar nga Vidal (81’) dhe Vargas (91’).

Me këtë fitore Kili kryeson Grupin “B”, në pritje të ndeshjes tjetër Gjermani-Australi, që në program është gjatë ditës së sotme (e Hënë) me fillim në ora 17:00.

Në ndeshjen e parë të së dielës Portugalia e Kristiano Ronaldos u nda në barazimin 2:2 ndaj Meksikës, që i shpëtoi disfatës me një gol të realizuar në mniutat shtesë të takimit me anë të Morenos.

Ndryshe Portugalia deri në ato momente avansonte me rezultatin 2:1 falë golave të shënuar nga Kuaresma (34’) dhe Cedric (86’), ndërkohë një gol tjetër në këtë përballje për Meksikën realizoi Çiçarito në minutën e 42-të.

Pas këtij barazimi Portugalia dhe Meksika renditen në pozitat dy dhe tre me nga një pikë të fituar, derisa në vendin e parë ndodhet Rusia, që në ndeshjen e parë të grupit “A” të zhvilluar të shtunën mundi Zelandën e Re me rezultatin 2:0.

Leave a Reply