Kundërshtarë aspak të lehtë për skuadrat shqiptare në turin e dytë të LE

Nuk ka qenë aspak me fat shorti i turit të dytë kualifikues të Liga Europa skuadrat nga Superliga shqiptare.

Skënderbeu, i cili ishte në pozicionin më favorit se të tjerët falë koefiçentit, nuk do ta ketë aspak të lehtë në turin e dytë në rast se kualifikohet ndaj Sant Hulias në turin e parë. Përballë korçarëve do të vendoset ekipi kazak i Kairat Almatit, i cili vitin e kaluar eliminoi nga Europa Teutën, ndërsa para 3 vitesh eliminoi Kukësin.

Para dy vitesh, Kairati arriti deri në “play off”-in e Ligës së Europës pasi eliminoi gjatë rrugës ekipe si Crvena Zvezda e Serbisë apo Aberdini i Skocisë.

Në “play off” u eliminuan nga francezët e Bordosë prej rregullit të golit në fushë të huaj. Por që të ndeshet me Skënderbeun, edhe Kairati duhet ta kalojë turin e parë ku luan ndaj lituanezëve të Atlantas. Ndeshjen e parë të turit të dytë Skënderbeu duhet ta luajë në transfertë.

Një kundërshtar pothuajse në të njëjtin nivel me atë të turit të parë e pret Partizanin në të dytin në rast se kualifikohet ndaj bullgarëve të Botev Plovdivit. Të kuqtë do të gjejnë përballë skuadrën që do të triumfojë në çiftin mes izraelitëve të Beitar Jeruzalemit dhe hungarezëve të Vashashit.

Ndërkohë Tirana që do ta ketë të vështirë që në turin e parë ndaj skuadrës izraelite të Makabi Tel Aviv, në rast eliminimi të këtyre të findit, në turin e dytë kualifikues do të përballej me fituesin nga përballja midis SJK Seinajoki (Finlandë) dhe KR Rejkjavik (Islandë).

Leave a Reply