Edhe vetë Reali nën hetim për evazion fiskal

Mbështetja e Realit të Madridit ndaj Kristiano Ronaldos pas skandalit për evazion fiskal ka ngritur dyshime te Agjencia e të Ardhurave publike në Spanjës.

Sipas mediave “iberike” organet tatimore në Madrid duket se kanë vendosur të hetojnë edhe llogaritë e klubit “madrilen” për të nxjerrë ndoshta ndonjë provë të re në lidhje me çështjen.

Pas akuzave të bëra në adresë të Kristiano Ronaldos, portugezi mbeti i pakënaqur me reagimin dhe mbrojtjen nga ana e drejtuesve të Realit, mirëpo një reagim i tyre tashmë bëri që organet fiskale të mendojnë të kundërtën.

Florentino Perez në veçanti ka ngjallur tensione në zyrat qendrore të Ministrisë së Financave për shkak të dëmit që i bëhet një agjencie, e cila ka shkaktuar më parë viktima luksi në futboll si Lionel Messi.

“Hacienda somos todos” është slogani krenar i tatimorëve dhe duket se presidenti i Realit e ka injoruar duke i akuzuar për fakte pa bazë.

Pikërisht pas skandalit të Ronaldos, do të nisin edhe hetimet për pagat që kanë marrë futbollistët e tjerë të Realit, bonuset e majme dhe të drejtat e imazhit, aty ku ndahet një kufi i hollë mes ligjit dhe evazionit.

Sipas organeve fiskale, drejtuesit e Realit mund të kenë probleme edhe me rimbursimin e detyrimeve dhe pagesat ndaj palëve të treta.

Leave a Reply