Gostivari demoloi Labunishtën në miqësore

Skuadra e Gostivarit të dielën në stadiumin e saj të qytetit ka zhvilluar miqësoren e rradhës në kuadër të përgatitjeve për sezonin e ri futbollistik në Ligën e Dytë – Perëndim. Kundërshtarë i tyre ishte një skuadër tjetër që do të garojë në të njëjtën ligë, Labunishti, ndaj së cilës skuadër Gostivari shënoi fitore me rezultatin 4:1.

Ndeshja u dominua në tërësi nga Gostivari, skuadër kjo e cila pjesën e parë e mbylli me epërsi minimale falë golit të shënuar nga Boban Mariç, kur me kokë shënoi në rrjetën e mysafirëve pas një rivënie nga këndi.

Në pjesën e dytë Gostivari realizoi edhe tre gola të tjerë, ku sërish në listën e golashënuesve i regjistrua sulmuesi Boban Mariç, ndërsa nga një gol realizuan edhe Ilirid Ademi, i cili ishte i saktë nga pika e bardh dhe Xhemail Esati.

Golin e vetëm për Labunishtën në këtë përballje e realizoi Kleçkarovski, kur realizoi për 2:1.

Për Gostivarin ishte kjo fitorja e parë, pas atyre tre disfatave të njëpasnjëshme përballë skuadrave nga elita e futbollit vendor. Të besuarit e Mensur Jakupit në ndeshjen e parë kishin humbur nga Renova (5:2), më pastaj nga Sileksi (2:1) dhe së fundmi nga FC Shkupi (1:0).

Ndeshjen e rradhës miqësore Gostivari do ta zhvillojë me datë 03 gusht kundër skuadrës vlonjate të Flamurtarit në Gostivar.

Leave a Reply