Ronaldo pas pak del para gjyqit për të vërtetuar pafajësinë  

Kristiano Ronaldo gjatë ditës së sotme pritet të paraqitet para një gjykate në Alarkon për të vërtetuar pafajësinë e tij në gjyqin kua akuzohet për fshehje të deklarimit të të ardhurave dhe mashtrim me mospagim taksash.

Sipas hetimeve të autoriteteve spanjolle, ylli portugez në periudhën e viteve 2011-2014 ka fshehur 14,7 milionë euro.

Akuza është e rëndë, pasi autoritetet kanë saktësuar se çdo veprim është kryer në “mënyrë të vullnetshme dhe me ndërgjegje të plotë”.

Në orën 11:30, Ronaldo do të paraqitet para gjykatësit për të dhënë versionin e tij të ngjarjeve.

Gjithçka filloi 13 vite më parë, kur portugezi u bë pjesë e Mançester Junajtid, duke krijuar disa llogari në parajsat fiskale në Karaibe për të ruajtur atje të ardhurat nga e drejta e imazhit.

Nëse te Mançester Junajtid ai kishte një kompani që menaxhonte gjithçka mbi të drejtat e imazhit, me transferimin e tij te Reali, ai i kalonte menjëherë të ardhurat vetë në këto kompani që kishte krijuar.

Hetuesit kërkojnë një dënim prej 7 vitesh burg për futbollistin portugez, ndërsa me gjykim të shkurtuar, nëse shpallet fajtor, kjo shifër mund të zbresë në 21 muaj.

Leave a Reply