Emini-Kukësi, “lufta” vazhdon

Izair Emini dhe Kukësi nuk mund të kenë paqe midis tyre. Deklarata e futbollistit tetovarë për gazetën shqiptare “Sport Ekspres” ka irituar drejtuesit e KF Kukësit, të cilët kanë dalë me një deklaratë lidhur me rastin në fjalë.

Ja dhe reagimi i Kukësit për deklaratën e Izair Eminit

“Kryesia e klubit të Kukësit reagon pas deklaratës së sulmuesit nënkontratë Izair Emini në shtypin e shkruar. Kukësi nuk e sheh aspak të hijshme deklaratën e tij dhe aq më pak profesionale.

“Ua kam bërë të qartë se nuk është puna te lekët, por te çështja familjare, sepse nuk dua të shkatërroj familjen. Në fund të fundit do të lë futbollin që të ndihmoj familjen time. Ndaj them se s’ka asgjë më shumë për t’u druajtur, kjo është e gjitha”, shprehet Emini, në gazetën “Sport Ekspres”.

Megjithatë, e vërteta është tjetër, pasi lojtari jo më larg se para një jave ka negociuar me presidentin Safet Gjici për kushtet financiare duke kërkuar rishikimin e termave financiarë të kontratës. Numri një i klubit e ka pritur sulmuesin mjaft mirë dhe i ka dëgjuar kërkesat e tij edhe pse ky i fundit është nën kontratë. Pas takimit, kampionët e Shqipërisë e kanë lajmëruar sulmuesin për t’u paraqitur në stërvitje, por ky i fundit nuk e ka bërë, madje ka dalë në stërvitje me skuadrën e Shkëndijës së Tetovës. Kukësi nuk mban “peng” asnjë futbollist, por të gjithë lojtarët nën kontratë duhet ta zgjidhin atë sipas pikave të parashikuara në të. E njëjta gjë vlen edhe për të gjitha klubet që interesohen për futbollistin në fjalë, ato duhet të paraqiten pranë klubit për të paguar kartonin e lojtarit nëse duan të sigurojnë shërbimet e tij”, – thuhet në deklaratën e Kukësit.

Izair Emini me Kukësin u bashkua janarin e vitit 2016- të, dhe në 47 ndeshje shënoi 18 gola, duke ndihmuar sezonin e kaluar Kukësin të fitojë titullin kampion për herë të parë në historikun e skuadrës verilindore.

Leave a Reply