Futsal Shkupi prezantoi dy super përforcime

Futsal Shkupi sonte ka prezantuar dy përforcime të mëdha në prag të ndeshjeve parakualifikuese për Ligën e Kampionëve Evropian që skuadra nga Çairi nga data 22 deri më 27 gusht do ti zhvillojë në Linz të Austrisë.

Emra të rinj te Futsal Shkupi janë një ndër futbollistët më të mirë viteve të fundit në elitën e futsalit vendor, Dragan Petroviç dhe portieri, Shefki Berisha.

Ky i fundit vjen nga skuadra e Juventus Seravës, teksa Dragan Petroviç erdhi nga rivalët e mëdhenj të Velesit.

Që të dy do të jenë një ndihmë e madhe për “bardhekaltërit” nga Çairi, të cilët këtë vit do të prezantojnë vendin tonë në ndeshjet paraeliminatore të Ligës së Kampionëve Evropian.

Rikujtojmë Shkupi do të jetë pjesë e grupit “C”, së bashku edhe me Luxol St. Andreës, Diamant Linz dhe Makabi Tel Aviv.

Në rast se Shkupi do të dilte i pari në grup, atëherë do të ishte pjesë e grupit 5 eliminatorë, ku do të luante ndaj kampionëve të Kroacisë dhe Francës, Nacional Zagreb, gjegjësisht Garges Djibson.

Këto ndeshje do të zhvilloheshin në Zagreb, ndërsa përveç tyre pjesë e këtij grupi do të ishte edhe fituesi i grupit para eliminator “B”, ku bëjnë pjesë FC Liburni i Kosovës, KMF Titograd nga Mali i Zi, FK Vytis nga Lituania dhe  Differdange 03 nga Luksemburgu.

Leave a Reply