Teuta hap dyert për Eminin!

Skuadra durrësake e Teutës ka lënë të hapur çështjen e përforcimeve të reja. Dëshira e tyre është Izair Emini, edhe pse ky i fundit thuhet se ka nënshkruar kontratë me Shkëndijën.

Ai që e dëshiron më së shumti Eminin te Teuta, është tekniku i durrësakëve, Gugash Magani, i cili në një prononcim për RTSH, pasi me skuadrën e tij fituan turneun “Pascucci”, tha: “Emini është një nga lojtarët më të mirë të kampionatit shqiptar. Sa kam informacion ka firmosur me skuadrën e Shkëndijës së Tetovës. Nëse do të ketë ndonjë hapësirë që ai të vijë, është i mirëseardhur”.

Emini sezonin e fundit luajti me Kukësin, me të cilën skuadër u shpall kampion i Shqipërisë, ndërsa pas përfundimit të garave në Evropë me skuadrën verilindore, Emini ishte një futbollist i lirë, pavarësisht pretendimeve të skuadrës kukësiane që kanë kontratë edhe për një vit tjetër.

Gjithë këto mosmarrëveshje mes futbollistit tetovarë dhe klubit nga Superliga shqiptare, bënë që çështja të arrijë edhe deri në FIFA, që në fund vendosi në favor të futbollistit, i cili që pas përfundimit të garave me Kukësin në ndeshjet eliminatore të Ligës së Kampionëve Evropian, po stërvitet me Shkëndijën e Tetovës.

Leave a Reply