Rrahje masive në Bit Pazar pas ndeshjes së Vardarit me R. Sociedadin

Një rrahje masive në afërsi të tregut të Bit Pazarit ka ndodhur mbrëmë pas përfundimit të ndeshjes midis Vardarit dhe Real Sociedadit, e vlefshme për ndeshjet në grupe të Liga Evropa.

Sipas asaj që raporton “Alsat-M”, bëhet fjalë për përleshjen e tifozëve të Vardarit me gjithçka që u ka dalë përpara.

Deri tek incidenti ka ardhur pasi tifozët e Vardarit të dëshpëruar nga humbja e madhe që ka pësuar ekipi i tyre Vardari nga Real Sociedadi 0:6, kanë sulmuar çdo gjë që kanë gjetur para tyre, duke thyer dhe demoluar edhe autobusët urban, por kanë sulmuar edhe personat që kanë hasur në rrugë.

Raportohet edhe për të lënduar, megjithatë numri i saktë i tyre nuk dihet akoma.

Sipas “Alsat-M” për të qetësuar situatën kanë ndërhyrë edhe forcat speciale, ndihma e shpejtë dhe zjarrfikësit.

Incidenti është konfirmuar edhe nga MPB-ja, sipas të cilëve ngjarja ka ndodhur në stacionin e autobusëve në afërsi të Shtëpisë së mallrave “26 Korriku” në autobusin me numër 50, me ç’rast nga një grup më i madh qytetarësh është cenuar rendi dhe qetësia dhe janë sulmuar udhëtarët që kanë qenë brenda në autobus.

“Incidenti ka filluar brenda autobusit me numër 50,  një person pjesëmarrës në incident ka kapur timonin e autobusit  duke shkaktuar edhe aksident trafiku, pasi autobusi me numër 50 është përplasur me autobusin privat me numër 20.Pasi janë hapur dyert e autobusit, personat kanë filluar me rrahjen jashtë autobusit, por pas arritjes së pjesëtarëve të policisë personat në fjalë kanë ikur në drejtim të panjohur. Janë  lënduar tre persona të cilët me veturën e ndihmës së shpejtë janë dërguar në qendrën klinike. Tani për tani është arrestuar vetëm një person me iniciale R.B.  dhe po merren masa për zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e personave pjesëmarrës në incident”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Leave a Reply