Hazard shtyn rinovimin me Çelzin, buzëqesh Real Madridi

Ylli i Çelzit, Eden Hazard ka vendosur që të shtyjë rinovimin me skuadrën kampione të Anglisë, edhe përkundër një ofertë të majme prej 300 mijë sterlina në javë.

Ky vendim i mesfushorit belg, ka ringjallur  shpresat e “madrilenëve” për të shfrytëzuar rastin dhe për të bindur numrin 10-të, të Çelzit që verën e vitit 2018-të, të transferohet në “Santiago Bernabeu”.

Mesfushori me tipare sulmuese është një ndër futbollistët më të mirë në botë dhe trajneri i madrilenëve Zinedine Zidane ka nevojë të transformojë skuadrën, pas dy triumfeve të njëpasnjëshme historike në Ligën e Kampionëve.

Megjithatë Zidan me Realin e tij nuk po shkëlqen këtë edicion në La Liga, ku renditet vetëm në pozitën e katërt me 8 pikë më pak se rivali i përbetuar, Barcelona. Pikërisht këto rezultate bëjnë që drejtuesit “madrilen” me në krye Florentino Perez të mendojnë rifreskimin e skuadrës, ku përveç Hazard, një emër tjetër që po qarkullon së fundmi, si përforcim i tyre i rradhës në vitin 2018-të, mund të jetë edhe ai i sulmuesit të Interit, Mauro Ikardi.

Leave a Reply