NBA, edhe Orlando mposhti Bostonin

Humbja e tretë radhazi e Bostonit ishte lajmi i mbrëmjes në kampionatin e NBA.

Në TD Garden, skuadra kryesuese e Konferencës së Lindjes u mposht nga Orlando me rezultatin 95-103.

Për Celtics nuk mjaftuan 40 pikët e Irving për të evituar goditjen e radhës në ligën më spektakolare të basketbollit në botë. Orlando që e mbylli pjesën e parë të sfidës me disavantazhin e 1 pike, shpërtheu pas pushimit të saj duke regjistruar në periodën e tretë rezultatin e pjesshëm 32-12.

Bostoni u përpoq që të reagonte në 12 minutëshin e fundit, por nuk ia doli dot duke u detyruar të dorëzohej përballë Magic që është në vendin e parafundit në Konferencën e Lindjes.

Nuk bëri më mirë San Antonio spurs. Skuadra teksane, pas humbjes me Toronton pësoi një tjetër disfatë, këtë radhë ndaj Indiana Pacers me rezultatin 86-94. Për Indianën protagonistë u bënë Oladipo me 19 pikë, Collison me 15 pikë e Young me 14 pike. Indiana e vendosi ndeshjen në drejtimin e dëshiruar në periodën e tretë e sidomos atë të katërt me këtë të fundit që e mbylli 25-16. për San Antonion u dallua Pau Gasol me 14 pikë e 9 topa në tabelë, ndërsa Parker e Forbes shënuan nga 12 pikë secili.

Në ndeshjet e tjera të NBA, Los Angeles Lakers mundi NeW York Knicks 127-107, ndërsa Detroit humbi ndaj Brooklyn Nets 100-101. (Top Channel)

Leave a Reply