Lipi: Interi ka mungesë të futbollistëve kampionë në skuadër

Trajneri i njohur italian, Marçello Lipi beson se Interit i mungojnë futbollistë kampionë për të luftuar për titullin e kampionit në “Serie A”.

Interi e nisi furrishëm sezonin aktual, duke mos njohur asnjë disfatë në katër muajt e parë të sezonit, derisa u mposht 3:1 nga Udinese në “Xhuzepe Meaca” me 16 dhjetor të vitit 2017-të.

Që nga atëherë skuadra e trajnerit Luçiano Spalleti nuk ka fituar asnjërën prej 7-të ndeshjeve të radhës duke e rrezikuar edhe pjesëmarrjen në Ligë të Kampionëve. Interi në këtë periudhë ka zhvilluar 6 ndeshje kampionale, duke regjistruar një disfatë dhe 5 barazime, 4 prej të cilëve të fundit i ka mbyllur me rezultatin identik 1:1, ndërsa gjithashtu u mposht edhe nga Milani (1:0) në kuadër të Kupës së Italisë.

“E kuptoj palumturinë e tifozëve. Madje edhe ky sezon, pas një fillimi fantastik, është shuar, humbur. Interi ka lojtarë të mirë por jo të jashtëzakonshëm, përveç Ikardit, i cili i shënon 90 për qind të golave,” – ka thënë Lipi.

Interi pas 23 xhirove të kaluara në “Serie A” mban pozitën e katërt me 45 pikë, vetëm një më shumë se Roma e vendit të pestë.

Leave a Reply